Nis rehabilitimi i Qafës së Pazarit në Gjirokastër

Postuar: 12:17 / 27.09.2018

Qafa e Pazarit në Gjirokastër, e njohur si kompleksi muzeal i qytetit të Gjirokastrës me vlera të veçanta historike e kulturore, po i nënshtrohet rehabilitimit të plotë, në ruajtjen e teknikave të hershme infrastrukturore dhe mos dëmtimin e tyre.

Ndërhyrja po kryhet në kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” dhe Fondi Shqiptar Zhvillimit që po zbaton këtë projekt prej vitit 2017 në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Turizmit, bashkitë Berat, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë, si dhe aktorë të tjerë interesi.

Sipërfaqja që do të trajtohet është 5,290 m2 dhe ndërhyrja do të prekë të gjitha rrjetet infrastrukturore nëntokësore.

Po ashtu për 8 sheshe projekti parashikon mobilim urban me stola druri, panele informuese, çezma publike, vende për biçikleta, etj., si dhe gjelbërim me lule dhe bimë dekorative.

Rehabilitimi i zonës “Qafa e Pazarit”, synon të luajë një rol kyç në orientimin dhe demostrimin e dobisë që kjo qasje inovative e integruar, ka për zhvillimin rajonal dhe mundësitë që krijon, për adresimin e një sërë objektivash që janë edhe pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Territorit. /atsh/