Pezullohen punimet tek “Unaza e re”, prokuroria nis hetimet për falsifikim

Postuar: 13:08 / 07.12.2018

Autoriteti Shtetëror i Rrugëve ka vendosur pezullimin e punës në lotin numër 1 të “Unazës se re”. Pas publikimit të fakteve, se një prej kompanive ka falsifikuar dokomunentet, ARRSH ka kërkuar të dhëna nga autoritetet amerikane për kompaninë “Dunwell Haberman”.

Deri në sqarimin e situatës dhe përgjigjen nga autoritetet amerikane, nuk do të vijohet me aktivitetin ndërtimor të kësaj kompanie për lotin nr.1 të segmentit që shtrihet nga “Ura e Lanës” deri te mbikalimi i sheshit “Shqiponja”.

Në rast se autoritetet amerikane do të konfirmojnë zyrtarisht pretendimet për falsifikime dokumentacioni nga kjo kompani, në zbatim të përcaktimeve ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme, e do të ndjekë procedurat e tjera të përcaktuara në ligj.

Në rast të zgjidhjes së kontratës, ARRSH-ja do të rifillojë menjëherë procedurat e prokurimit për këtë lot, për të mundësuar përfundimin në kohë të këtij projekti të rëndësishëm për kryeqytetin. Një hetim ka nisur ndërkohë nga Prokuroria e Tiranës.