Projekte transformuese për Tiranën

Postuar: 12:00 / 21.12.2017

Në 3 vitet e fundit Tirana është transformuar, ndërsa janë mbyllur me sukses disa nga projektet e mëdha për zhvillimin e kryeqytetit.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj bëri një bilanc të arritjeve në 3 vitet e fundit, ndërsa u ndal edhe te prioritetet e bashkisë për vitin e ardhshëm.

Viti 2017 ishte një vit suksesi për Tiranën, ndërsa në vitin 2018 parashikohet që turizmi të njohë një boom të vërtetë, raporton ATSH.

“Pazari i Ri nga gropë septike është shndërruar në një zonë fantastike. Po ashtu edhe Sheshi Skënderbej në një hapësirë festive fantastike”, tha Veliaj.

Ai theksoi se së shpejti do të nisë transformimi i Piramidës, ndërsa në muajin janar do të hapet edhe segmenti i ri i Bulevardit të ri.

“Kemi filluar mbjelljen e pemëve buzë lumit të Tiranës, projekt që jo vetëm do ta mbrojë nga përmbytja zonën, por do ta shndërrojë bregun e lumit në një pyll të vërtetë. Ndërkohë vijon puna për transformimin e parkut të liqenit”, tha Veliaj. /InfoKomuna/