Punime intensive në rrugën Kardhiq-Delvinë, shkurton në tre orë Tiranën me Sarandën

Postuar: 11:16 / 08.04.2019

Në segmentin më të vështirë të aksit rrugor Kardhiq-Delvinë, punimet intensive po shkojnë drejt ndërtimit të tunelit, projekti i të cilit u realizua në kohë rekord.

Damian Gjiknuri, deputet i Partisë Socialiste, ish- ministër i Infrastrukturë dhe Energjisë ka publikuar 60 sekonda video informacion nga puna e pandalshme në segmentin më të vështirë të aksit Kardhiq-Delvinë.

“Ndërsa punimet në 3 lote vazhdojnë, nxis Ministrinë e Infrastrukturës dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) të çojnë përpara sa më shpejt edhe ndërtimin e tunelit, puna për projektin e të cilit u krye në kohë dhe fondet u parashikuan në Buxhetin e vitit 2019”, shprehet Gjiknuri.

Projekti për ndërtimin e lotit 7 të rrugës Kardhiq-Delvinë, në jug të vendit, parashikon ndërtimin e tunelit me gjatësi 1 km, që do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit nga Tirana deri në Sarandë.

Hartimi i projektit të tunelit (loti 7) dhe hartimi i projektit për lotin 2, përfshijnë pjesën nga fshati Shijan deri në hyrje të qytetit të Delvinës.

Tuneli i aksit Kardhiq-Delvinë është hartuar që në vitin 2008. Por përgjatë gjithë kësaj periudhe 10- vjeçare, kanë ndodhur ndryshime si në kushtet e zbatimit te punimeve ashtu dhe për hapjen e tunelit dhe për këtë arsye ka lindur nevoja rishikimit të këtij projekti.

Aksi rrugor Kardhiq – Delvinë ka një gjatësi 33 km dhe përshkon rrethin e Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës. Punimet për ndërtimin e tij nisën në vitin 2009, por vazhdimësia e projektit është ndërprerë.

Projekti për ndërtimin e rrugës Kardhiq – Delvinë, është një nga projektet e paketës transformuese për zhvillimin e infrastrukturës me impakt në ekonominë dhe turizmin e vendit.

Kjo rrugë është cilësuar një nga akset më prioritare, që shkurton në 3 orë kohën e udhëtimit nga Tirana deri në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm turizmit.

Aksi Kardhiq–Delvinë ka një gjatësi rreth 34 km. Deri më tani janë përfunduar 7.6 km nga Ura e Kardhiqit në drejtim të Fushë-Bardhës dhe 9.7 km nga Delvina në drejtim të Vergos.

Kjo rrugë është cilësuar një nga akset më prioritare që shkurton me 3 orë, kohën e udhëtimit nga Tirana në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm turizmit. /ATSH/