Restaurimi e shndërron Qendrën Historike të Vlorës në destinacion turistik

Postuar: 09:46 / 06.09.2021

Qendra Historike e Vlorës është rijetëzuar duke u shndërruar në një vlerë tjetër të shtuar për turizëm dhe në një destinacion atraktiv dhe tërheqës kulturor.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, në Ditët e Trashëgimisë, të dielën, ka sjellë në vëmendje shndërrimin rrënjësor të kësaj qendre e cila kishte humbur identitetin duke u lënë e patrajtuar.

Restaurimi i Qendrës Historike të qytetit të Vlorës, një investim prej 11 milionë eurosh, është në funksion të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, por edhe për t’i dhënë një impuls të ri ekonomisë së qytetit në funksion të zhvillimit të turizmit, raportojnë mediat shqiptare.

Përveç ndërhyrjeve në godina janë kryer edhe punimet nëntokësore. Projekti ka përfshirë restaurimin e 68 banesave, mes të cilave Shtëpinë e Marigosë, Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.

Sipas ministres Margariti, trashëgimia kulturore dhe historike është një aset i rëndësishëm i qyteteve me ndikim në zhvillimin ekonomik të tyre. Nga ana tjetër, rijetëzimi i vlerave kulturore dhe historike nxit rigjallërimin e traditave dhe promovimin e vlerave kombëtare.

Rruga “Justin Godard” ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes së Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor çon te “Sheshi i Flamurit”, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës, ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920. Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vogla të stilit neoklasik.

Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagjja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe Xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka pasur disa ndërtesa shoqërore në shekullin XIX, si një sahat (kullë) dhe Posta e qytetit.

Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar edhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apoloni.