Rikualifikimi urban, 2.2 mln euro investime në Pukë

Postuar: 11:27 / 27.05.2018

Procesi i rikualifikimit urban ka prekur kësaj here qytetin e Pukës, që do të nisë nga rikonstruksioni i fasadave të pallateve, ndërtimin e një shëtitoreje rreth liqenit, kënd lojërash për fëmijë si dhe një amfiteatër, duke i dhënë këtij qyteti një pamje tjetër.

Punimet për rikualifikimin urban u inspektuan nga ministri për Punët e Jashtme dhe Europën, Ditmir Bushati, në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut, së bashku me deputetë të qarkut dhe me kryetarin e Bashkisë Pukë, të cilët  inspektuan punimet për rigjenerim e shëtitores Qendrore, e parashikuar të përfundojnë brenda qershorit të këtij viti.

Ministri Bushati vlerësoi se përfundimi i këtij projekti do të ndikojë në rigjallërimin e jetës në këtë qytet. “Puka çdo ditë po ndryshon. Sistemi i rikualifikimit të banesave, pedonalja dhe projekti i liqenit, to ti japin një tjetër frymëmarrje Pukës”, nënvizoi ai.

Kryetari i Bashkisë Puke, Gjon Gjonaj nga ana e tij e falenderoi qeverinë shqiptare për investimin në këtë zonë e cila do të sjellë dhe rritjen e turizmit në këtë zonë.

Projekti për Bashkinë Pukë është ndarë në dy faza. Ka përfunduar faza e parë e cila ka kryer ndërtimin e pedonales së qytetit, çative të ndërtesave, ndriçimin dhe rivitalizimin e hapësirave të gjelbra dhe ndërtimin e shatërvanit në sheshin e qytetit. Pas gati 30 vitesh po investohet në Pukë, për t’i dhënë një fizionomi tjetër këtij qyteti, për ta bërë më tërheqës për qytetarët dhe vizitorët, për shfrytëzimin e potencialeve të turizmit apo agro-turizmit. /ATSH/