Rrajca, befasi turistike në stinën e vjeshtës

Postuar: 11:23 / 09.10.2018

Rrajca, një fshat në lartësitë e Librazhdit, pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, po kthehet çdo vit e më tepër në një atraksion të fuqishëm turistik.

Ajo shquhet për traditën, etnografinë dhe kulinarinë e veçantë, karakteristike të zonës. Disa nga banorët kanë filluar të rindërtojnë banesat e tyre, duke mirëpritur turistë dashamirës të natyrës, për të shijuar bukuritë e kësaj zone.

Rrajca dhe këto ditë të para të tetorit po mirëpret vizitorë vendas dhe të huaj. Ministri i Turizimit dhe i Mjedisit Blendi Klosi ka ndarë disa foto me një grup të rinjsh të cilët eksplorojnë bukuritë e Rrajcës, në stinën e vjeshtës.

Ky vend ofron një turizëm gjithë vjetor pasi i përball turistët me kontraste të forta gjeografike, ku mund të gjesh që nga fushat e blerta, lumenj, shpella deri te lartësitë e maleve me borë.

Gjithashtu Rrajca është një pasuri turistike e pakonkurrueshme, që pret vizitorë të apasionuar pas aventurës, natyrës, traditës dhe historisë që po shfrytëzohet çdo ditë.

Liqenet akullnajore të Rrajcës, pjesë e këtij Parkut, e bëjnë Rrajcën një nga destinacionet e veçanta turistike natyrore që mund të eksplorohen në çdo stinë.