Tepelena gati të presë turistët për sezonin veror

Postuar: 13:06 / 29.05.2018

Tepelena me pasuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore të saj është gati të presë turistët vendas dhe të huaj për sezonin e ri turistik 2018.

Ky është viti i parë që Tepelena i bashkohet qyteteve që kanë traditë çeljen e sezonit veror, ceremoni e cila përkoi edhe me “Javën e Ali Pashë Tepelenës”, një aktivitet i organizuar prej katër ditësh nga bashkia e Tepelenës, 25-28 maj.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, zv/ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrulla Çeku, Deputeti i qarkut Gjirokastër , Bledi Çuçi dhe Përfaqësuesja e Delegacionit Europian në Shqipëri, Edina Halapi, kryetari i bashkisë Tërmet Peçi, artistë, qytetarë dhe turistë.

Ministrja Kumbaro e cilësoi çeljen e sezonit në këtë qytet si hedhjen e themelit të një tradite që do të kthehet në të përvitshme dhe që synon promovimin e kulturës, traditës dhe trashëgimisë në portën hyrëse të jugut, shkruan ATSH.

Prezantimi i kulinarisë së zonës ku përfshihen të gjitha produktet Bio të përgatitura sipas traditës nga amvisat e zonave, Kurvelesh, Lopës, Rrëzë, i produkteve bimore natyrale, bimët medicinale, çajrat dhe erëzat, si dhe prezantimi i objekteve dhe instrumenteve “Laberia” zgjuan interesin e pjesëmarrësve të shumtë në panairin e organizuar në kuadër të çeljes së sezonit turistik.

Një vend të veçantë në panair zuri edhe kostumografia dhe polifonia Labe, një nga vlerat më të rralla pjesë e UNESCO dhe pjesë e identitetit shpirtëror të labërisë.

Gjatë të aktiviteteve të zhvilluara në Tepelenë vlen të përmendet sesioni shkencor “Ali Pashë Tepelena, Të ruajmë historinë dhe të vlerësojmë pasuritë tona natyrore dhe kulturore, si bazë për zhvillimin e qëndrueshëm”, ndërsa drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë D. Dorian Koçi foli për Gjenealologjinë e Ali Pashë Tepelenës.

Interes të veçantë pati për ekspozitën me materialet e Ali Pashë Tepelenës të ndodhura në Arkivin Qendror Shtetëror, ku të pranishmit u njohën me korrespondencën, dokumentet administrative dhe plot të tjera për Ali Pashën.

Artdashësit patën mundësi të ndjekin shfaqjen e filmit, dokumentar – “Vërtitur Kokë e prerë”, e regjisorit Petrit Ruka, Bujar Asqeriu, në të cilin shfaqen aspekte nga ngjarjet e jetës së Ali Pashë Tepelenës.

Ndërsa një koncert i fëmijëve të Qendrës Kulturore Tepelenë, këngë e valle u mirëprit nga artdashësit e vegjël.

Por, fëmiëjt e qytetit të Tepelenës patën edhe një arsye më shumë të për të festuar, pasi tashmë ata për herë të parë do të kenë një kënd lojërash.

Ky kënd u ndërtua nga Uji i Ftohtë Tepelenë, i cili në kuadër të 20 vjetorit të krijimit i dhuroi bashkisë Tepelenë një grant prej 50,00 euro, për të ndërtuar këtë kënd të parë publik të lojrave për fëmijë në Tepelenë.

Tepelena, qyteti i vogël, por me një histori mbresëlënëse, përgjatë sezonit turistik të verës mirëpret vizitorë vendas e të huaj. Krahas vlerave historike të qytetit si kalaja e gurtë e Ali Pashë Tepelenës turistët kanë shfaqur interes edhe për peizazhet natyrore të Kurveleshit dhe monumentet e trashëgimisë kulturore.