Tirana kantier ndërtimi, investime në infrastrukturë

Postuar: 10:36 / 24.04.2018

Vera që vjen do ta gjejë Tiranën në një kantier të vërtetë të punëve infrastrukturore. Bashkia e Tiranës do të nisë një sërë investimesh të rëndësishme që kanë të bëjnë kryesisht me transportin dhe sistemimin e disa prej hyrjeve dhe akseve kryesore në qytet.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, në një intervistë televizive mbrëmjen e djeshme bëri të ditur se, së shpejti do të nisë investimi në pjesën e Unazës nga “Pallati me Shigjeta” deri te “Shqiponja”, çka pritet të sjellë një lehtësim të ndjeshëm të lëvizjes së mjeteve në këtë aks.

Ai deklaroi gjithashtu se kanë nisur bisedimet me disa nga bankat ndërkombëtare për mundësinë e financimit dhe të ribërjes së aksit Kombinat – Plepa, shkruan ATSH.

“Kemi folur me disa banka zhvillimi ndërkombëtare për mundësinë e financimit të ribërjes të rrugës nga Kombinati në Plepa. Ajo është një zonë që ka shumë potencial, tani edhe industrial. Shumë prej mini-punishteve, fabrikave me 200-300 punonjës kanë filluar transferimin në atë zonë. Kështu është planifikuar edhe në planin urbanistik. Rruga Kombinat –Plepa është një rrugë nacionale, ka ardhur nevoja që edhe shtresat të rishihen dhe ndoshta te kemi më shumë zgjerim. Jemi duke folur me FSHZH dhe ARRSH që të fillojmë edhe aty një investim”, u shpreh Veliaj.

Në zonën e Kombinatit është parashikuar edhe ndërtimi i një terminali të panaireve që do të rivitalizojë gjithë këtë zonë, duke e kthyer në një nga poliqendrat e Tiranës moderne, ndërkohë që e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në Kinostudio.

Kreu i Bashkisë dha një tjetër lajm të mirë edhe sa i takon akseve të tjera hyrëse në Tiranë, të cilat jo vetëm do të lehtësojnë dhe do të rrisin qarkullimin e automjeteve që hyjnë e dalin nga Tirana, por njëkohësisht pritet që të japin një impuls tepër pozitiv edhe në ekonomi.

“Një tjetër hyrje është ajo e IKV në Kinostudio që sjell gjithë Malësinë e Tiranës, ku malësia e Dajtit, e Priskës ka akses. Kemi marrë sot një draft të parë të një hyrje që duam të organizojmë në Tufinë, që përfundon rruga e Arbrit. Aty po projektojmë që tani për terminal autobusësh dhe për verilindjen të paktën do jetë ajo hyrje e Tiranës”, tha ai.

Zgjidhje çështjes së trafikut në Tiranë

Në një qytet të madh ka gjithnjë trafik, tha Veliaj, duke shtuar se është gënjeshtar ai kryetar bashkie që thotë se s’do të ketë më trafik.

“Kemi pasur 25 hotspote. Sot kemi 1-2 hotspote, “Shqiponja” dhe segmenti “Teodor Keko”, ndërkohë që është zgjidhur pjesa nga Pallati me Shigjeta në Farkë”, tha ai.

Tek “Shqiponja”, sipas Veliajt,  do të ketë mbikalim e nënkalim që besoj se do ta zgjidhë këtë. “Kur unë kam takime në qeveri e kam më të lehtë të shkoj me biçikletë në korsitë e dedikuara. Ta heqim iluzonin që Tirana s’do të ketë trafik”, shtoi ai.

“Tek “Shqiponja” dhe Teodor Keko, Unaza e Astirit do të fillojmë për punë javësh investimin. Do të ketë zgjidhje sepse ka qenë ish- komuna Kashar e bërë komplet pa plan. Bashkia e Tiranës do të bëjë rrugët pingule, ARRSH do të bëjë rrugët tangenciale. Pra ky është plani, ne do fillojmë me bulevardet kryesore të Kasharit në të gjithë zonën e “Astririt”, qeveria do bëjë të gjithë aksin që quhet “Teodor Keko”, ose Unaza e Re”, theksoi Veliaj.

Komente: 0 Rruga e Arbrit, hapet tuneli 500 metër i gjatë në Klos [FOTO] 13:54 / 17.08.2018 Vijon me intensitet puna në Rrugën e Arbrit, e cila ka nisur nga ndërtimi para thuajse dy muajsh. Sipas ministrit të Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, është hapur një nga tunelet e parë të kësaj vepre të rëndësishme. Bëhet fjalë për një tunel 500 metra të...