Tiranë-Durrës me hekurudhë moderne dhe tren të shpejtë

Postuar: 11:57 / 25.05.2018

Tregu i punës në vend ka kërkesa për profesionistë të arsimuar, veçanërisht për inxhinjerë të specializuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, që pas viteve 90’ shënuan një mungesë të theksuar në burime njerëzore.

Kështu u shpreh, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri gjatë një bashkëbisedim me një grup studentësh të Universitetit Politeknik të Tiranës me të cilët diskutoi perspektivën e zhvillimit të këtyre dy sektorëve.

Ministri inkurajoi të rinjtë që të përqendrohen tek profilet e inxhinierive si rruga më e mirë për të siguruar të ardhmen e tyre në tregun e punës.

“Tregu i punës ka nevoja shumë të mëdha për pjesën inxhinierike, ka shumë projekte, inxhinieri ndërtimi, konstruktori, apo qoftë gjeologu në fusha jo vetëm tek miniera. Gjeologjia është baza. Sa më mirë të njohësh gjeologjinë aq më i sigurtë është edhe projekti. Të gjitha dështimet që kemi ne në projekte publike po ta vini re, vijnë kryesisht për shkak të dështimeve gjeologjike. Pse?! Sepse nuk janë bërë studimet siç duhet, i kanë rënë shkurt, i kanë bërë nga kompiuteri ose janë mjaftuar me disa të dhëna, pa marrë kampione, pa bërë analizat e shtresës së nëntokës dhe të gjitha këto kanë sjellë që në shumë nga këto projekte të famshme të ‘kërcejë’ çmimi. Ju e keni pare, që nga projektet e mëdha si rruga Durrës-Kukës, apo Rruga e Elbasanit, projekte shumë të rëndësishme, por kostot kanë vajtur të larta pikërisht nga mungesa e bërjes së punës siç duhet nga pikëpamja e projektimit”, u shpreh Gjiknuri.

Më tej, ministri inkurajoi të rinjtë të fokusohen edhe në dy fusha konkrete me perspektivë si sistemi hekurudhor dhe efiçienca e energjisë.

“Hekurudha është degraduar me vite. Ne po fillojmë një projekt shumë të rëndësishëm Tiranë-Durrës, rreth 100 milion euro me mbështetjen e BERZH-it dhe të Komisionit Europian. Do bëjmë një hekurudhë moderne Tiranë-Rinas, Tiranë-Durrës, pra do të ketë një lëvizshmëri të shpejtë, një tren të shpejt, komod si në Europë. Kjo do të hapë edhe një fushë të re sepse inxhinieria hekurudhore këtu ka dalë jashtë loje".

"Unë e kam vënë re që mungojnë profesionistë në këtë fushë. Bërja e kësaj vepre të re dhe qoftë ringjallja e hekurudhës edhe me projekte të tjera që jemi duke aplikuar për të lidhur Shqipërinë me Greqinë apo me Maqedoninë do të krijojnë një fushë tjetër shumë të mirë, qoftë për inxhinieri civile për hekurudhat, por qoftë edhe nga pikëpamja e transportit hekurudhor, se këto janë fusha të ndërlidhura”, theksoi Gjiknuri. /ATSH/