Tiranë: Hapet segmenti i dytë i Bulevardit të Ri, ja si duket

Postuar: 18:24 / 04.02.2019

Duke nisur nga sot, Bulevardi i Ri nga ish-Stacioni i Trenit deri te kryqëzimi me rrugët “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja” është funksional për automjetet. Bashkia e Tiranës ka përfunduar segmentin e dytë prej 500 metrash të Bulevardit të Ri, si dhe sheshin e tretë në fund të tij, duke ofruar një standard të lartë të punimeve dhe një mjedis çlodhës për banorët e zonës.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi cilësinë e punimeve, si dhe faktin që tashmë zgjidhet një nyje që shkaktonte trafik.

“Më kujtohet kur e nisëm këtë punë, para katër vitesh: Kemi qenë tek ish stacioni i vjetër i Trenit dhe është e pabesueshme sa ecet kur punohet. Teksa shoh kontrastin, tani që po i afrohemi lumit dhe ku investimi ynë në lumin e Tiranës na ndan nga bashkia që vjen e proteston çdo ditë në Tiranë; teksa shoh që në anën tjetër të lumit vazhdon e hidhen plehra, të digjen plehra, i gjithë tymi vjen në Tiranë, u them që ju mirëpresim!

Tani ju kemi bërë edhe një bulevard të ri, mund të vini të protestoni për çdo gjë, por fillimisht na tregoni, si e bëni ju këtë punë! Para se të mobilizoheni të rrëzoni qeverinë dhe ata që kanë sjellë gjithë këtë zhvillim e progres për Tiranën, na thoni nga kush duhet të marrim shembull? Unë nuk besoj se në Tiranë duhet të vazhdojnë të hidhen më plehra në lumë, në Lanë apo në Erzen; nuk besoj se duhet të digjen më plehra, ndërkohë që kemi një mënyrë moderne sot të përpunimit; nuk besoj që rruga, dhuna, pengesa, sabotimi është mënyra për të ecur përpara”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Ai u shpreh se Bulevardi i Ri i Tiranës, me ecurinë e deritanishme të punimeve, është dëshmi e faktit se puna dhe vullneti për të bërë gjëra të mira, triumfon mbi çdo përpjekje për ta penguar atë. “Kur filluam punën për bulevardin kishte vetëm një tabelë që thoshte: Nuk na lënë të punojmë! Ndërkohë, si Saliu, si Luli, bashkë ishin edhe në bashki, edhe në qeveri, dhe kishin kohë të punonin. Sot e kuptojmë që në fakt, ata që nuk të lënë të punosh janë ata vetë dhe fakti që sabotohet Unaza e Madhe, fakti që sabotohen lodrat te Liqeni, fakti që sabotohet Bulevardi i Ri, shkollat, çdo lloj pune publike në Tiranë, do të thotë se paska një pjesë të politikës që nuk ia do të mirën këtij vendi, nuk do që ky vend të bëjë përpara!”, u shpreh Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku theksoi se ashtu si në këtë bulevard, puna nuk do të ndalet në asnjë projekt tjetër të Bashkisë së Tiranës.