Tiranë: Mbillen një mijë pemë të reja te Liqeni i Thatë për Pyllin Orbital

Postuar: 11:00 / 13.11.2017

Zona e Liqenit të Thatë po shndërrohet ditë pas dite në një mjedis çlodhës për komunitetin e shtuar të banorëve, si dhe për qytetarët e tjerë të kryeqytetit.

Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit vijojnë gjelbërimin e rrugëve dytësore te Liqeni i Thatë, në të dyja anët e autostradës, nga nënkalimi në drejtim të Saukut. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u bë pjesë e aksionit për mbjelljen e 1000 pemëve të reja, ku theksoi se ky projekt do të vijojë përgjatë gjithë unazës së jashtme të Tiranës, që është edhe kufiri i Pyllit Orbital.

“Po ndjekim gjithë Unazën e jashtme të Tiranës, e cila në fakt është konturi dhe kufiri i Pyllit Orbital. Sot po mbjellim 1000 rrapë, që i kemi donacion. Dua të falenderoj të gjithë donatorët që po aplikojnë konceptin që kemi propozuar, pra për çdo makinë, dy pemë të mbjella, për të zeruar impaktin që ka në mjedis ndotja që vjen nga makinat. Jam entuziast për faktin se na janë përgjigjur shumë kompani, shumë më shumë se ç’e kishim menduar”, tha Veliaj, i cili u shpreh optimist se me ritmet me të cilat po punohet, do të arrihet një numër rekord i mbjelljes së pemëve të reja në mbi 100 mijë në vit.

“Do ta thyejmë rekordin tonë, duke mbjellë mbi 100 mijë pemë këtë vit, vetëm nga energjia fantastike që po gjenerojnë në Tiranë të rinjtë, vullnetarët, kompanitë, shoqatat”, tha ai. Teksa falenderoi banorët për mirëkuptimin e treguar për respektimin e kufizimeve për të ndërtuar pranë rrugëve kryesore, kreu i Bashkisë theksoi se projekte të tilla rrisin vlerës e pronës dhe në të njëjtën kohë përmirësojnë anën estetike të qytetit.

“Falenderoj të gjithë banorët rreth këtyre zonave. Së pari, e kanë kuptuar se sipas ligjit, nuk mund të ndërtohet 25-30 metra nga autostrada apo nga rrugët kryesore. Po tregohen bashkëpunëtorë që na lejojnë të mbjellim. Toka mbetet po e tyre, nëse i kanë letrat është gjithmonë e tyre, ama edhe toka e tyre merr më shumë vlerë në momentin që është e zbukuruar, gjelbëruar dhe sigurisht në momentin që Tirana ka një hijeshi që i vjen nga Pylli Orbital”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë e vlerësoi si shumë të rëndësishëm misionin për të shtuar gjelbërimin në qytet dhe ftoi bizneset apo individët e ndryshëm që të kontribuojnë, duke i lënë qytetit trashëgiminë më të mirë. “Do të vazhdojmë intensivisht me ketë projekt, deri në muajt e parë të vitit tjetër dhe pranverës, ndaj vazhdoj të ftoj të gjithë qytetarët, si ata që dhuruan 1000 pemë sot, si ata që ndoshta do të dhurojnë vetëm një pemë për një fëmijë të sapolindur nesër. Është “paja” që i lëmë qytetit tonë. Jemi apo jo në Bashki të Tiranës, për 100 vjet, këto pemë do jenë këtu dhe besoj se do të jenë trashëgimia më e mirë që kjo gjeneratë administratorësh mund t’i lërë qytetit të Tiranës”, tha Veliaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe tha se me miratimin e Planit të ri rregullues të Bashkisë së Tiranës, ka nisur puna për të kthyer në realitet projektet e parashikuara për transformimin e qytetit.

Komente: 0 Rrugë të reja me korsi biçikletash dhe Ngjyra në Tiranë 13:33 / 14.12.2017 Gjithnjë e më shumë Tirana po i ngjason qyteteve europiane. Krahas përmirësimit të infrastrukturës bazë, tashmë në rrugët e reja, por edhe ato ekzistuese po reflektohen të njëjtat parametra si bulevardet europiane, ku mendohet për hapësirat që respektojnë ata...
Komente: 0 Tjetër kullë në Tiranë 14:52 / 13.12.2017 Kulla 35 katëshe pas Hotel Tiranës, punimet e së cilës do të fillojnë së shpejti, do të shërbejë si hotel dhe qendër tregtare.