Tiranë: Nis fushata për pagesat e prapambetura dhe kontratat e reja të ujit

Postuar: 16:24 / 22.01.2018

Bashkëpunimi i ngushtë në mes qytetarëve dhe Ujësjellës Kanalizime Tiranë është tashmë një aset për të rritur më shumë efikasitetin e punës në shërbim të qytetarëve.

Riparimi i shpejtë i defektit në rrjetin e ujit të pijshëm në rrugën “Ibrahim Rugova” nga Bashkia e Tiranës, i dha fund problematikës së sinjalizuar nga banorët e kësaj zone në rrjetin e shpërndarjes së ujit. Linja brenda pak orëve rifilloi furnizimin normal.

Krahas investimeve për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve në kryeqytet, Bashkia po merr masa për mbledhjen e pagesave nga konsumatorët debitorë.

Ndërkohë, nga sot ka nisur fushata e ndërgjegjësimit për qytetarët mbi pagesën e faturave të prapambetura të ujit të pijshëm si dhe lidhjen e kontratave të reja.

Në përfundim të fushatës së ndërgjegjësimit dhe lidhjeve vullnetare, do të nisë identifikimi i abuzuesve, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.

Gjithashtu, nga data 1 shkurt, bashkitë do të fillojnë verifikimin e pagesave për punonjësit e tyre, të cilët do të nënshkruajnë një deklaratë dhe do të paraqesin edhe librezën e pagesave të ujit.