Tiranë: Përurohet rruga "Kahreman Ylli" në Kinostudio
Pas ndërtimit të rrjetit të ri të ujësjellësit pak muaj më parë, rreth 5 mijë banorët që jetojnë në Rr. Kahreman Ylli në Kinostudio, tashmë kanë edhe një infrastrukturë moderne urbane.
Bashkia e Tiranës ka përfunduar rindërtimin nga e para të rrugës Kahreman Ylli dhe të segmentit që e lidh atë me rrugën Hysen Xhura.
Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se rruga ofron standardet e nevojshme jo vetëm në sinjalistikë, por edhe në jetëgjatësinë e saj, pasi më parë janë kryer të gjitha punimet nëntokësore.
Fillimisht shtruam ujësjellësin, bëmë kanalizimet, pusetat, pra gjithë rrjetin nëntokësor, e mandej bëmë shtresat e asfaltit, sinjalistikën, ndriçimin, gjelbërimin. Kjo është mënyra e duhur! Për të mos shkuar në Tiranën e katër viteve të gjumit, ku fillimisht bëhej një asfalt dhe pastaj çahej toka për të bërë punimet e tjera, tha kryebashkiaku.
Veliaj deklaroi se edhe ky investim i jep jetë atij që në Planin e Përgjithshëm Vendor konsiderohet si një nga qendrat e Tiranës policentrike.
Kjo është një rrugë që është bërë për së mbari dhe në këtë pol, që është poli i Kinostudios në Tiranën policentrike, pra një qendër më vete, them që kemi hedhur baza të mira, shtoi Veliaj.
Ai tha se Bashkia e Tiranës, në vijim të detajimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, po bashkëpunon me Universitetin e Harvard-it për të përcaktuar se si këto zona do të zhvillohen në pole të veçanta urbanistike.
Kemi një ekip arkitektësh të Universitetit të Harvard-it, të cilët si për zonën e Kinostudios, edhe për Kombinatin, Laprakën, pra që janë qendrat e reja të Tiranës policentrike, deri në fund të verës do të përgatisin një plan urbanistik vetëm për këto qendra. Duke qenë se në këtë zonë kemi tashmë dy ministri, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Kulturës, duke qenë se shumica e bankave kanë degët e tyre, shkollat, gjimnazet, disa fakultete të Universitetit të Mjekësisë, pra ka mjaftueshëm shërbime administrative komerciale, për tu trajtuar si një qendër më vete, tha Veliaj.