Tri projekte shqiptare finaliste për çmimin “Urban Public Space 2018”

Postuar: 13:16 / 15.05.2018

Sheshi Skënderbej, rinovimi i Himarës si dhe përtëritja e shëtitores bregdetare në Vlorë, janë tre projektet e nominuara për çmimin ndërkombëtar në arkitekturë “Urban Public Space 2018”.

Juria ndërkombëtare e çmimit “Urban Public Space 2018”, ka përzgjedhur 25 projekte për këtë vit, ku ndër të nominuarit ka edhe tre projekte shqiptare.

Përmes një njoftimi për shtyp, ambasada shqiptare në Holandë njoftoi sot se, vendimi i jurisë do të shpallet në 20 qershor 2018.

Sheshi Skënderbej i përuruar më 10 qershor 2017, përfaqëson një ndërthurje mes pjesës së ngurtë dhe asaj të gjelbër dhe pyllëzuar, duke ruajtur fort simbolikat kombëtare dhe historike që mbart.

Mozaiku spektakolar i gurëve nga gjithë trevat shqiptare dhe kopshti orbital përreth sheshit Skënderbej me pemë e bimësi nga gjithë zonat shqiptare, u kanë dhënë qytetarëve të Tiranës një hapësirë publike fantastike, kartvizitën e një kryeqyteti europian.

Në Himarë rikualifikimi i plotë urban i shëtitores buzë detit dhe sheshit qendror, krijon imazhin e një qyteti tipik mesdhetar, në bregun e Jonit. Përgjatë vijës Spile-Himarë dhe në 9880 metra katror sipërfaqe janë ndërmarrë ndërhyrje arkitekturore, zhvillimi urban dhe rekreacioni. Projekti ruan karakteristikat e zonës, duke përdorur materiale që i afrohen elementeve natyrale të plazhit.

Po ashtu, vija e rilindur bregdetare e qytetit të Vlorës, Lungomare, i konceptuar si një hapësirë ku alternohen 3 lloje lëvizjesh, ajo me automjete, me biçikleta, si dhe pedonalja, krijon mundësi që gjithkush të gjejë vetveten, në varësi dëshirave të tij, duke u dhënë përparësi këmbësorëve.

I përuruar në maj 2017, ky projekt është cilësuar si më i rëndësishmi në funksion të turizmit në qytetin bregdetar të Vlorës dhe ndër më tërheqësit për turistët e huaj.