Ura shton turistët, të huajt vizitojnë Zvërnecin

Postuar: 16:34 / 23.04.2018

Përfundimi i urës që lidh ishullin e vogël të Zvërnecit me bregun në Vlorë ka shtuar numrin e vizitorëve në Manastir.

Objekti i kultit u vizitua gjatë fundjavës nga shumë turistë të huaj. Ata tregojnë se çfarë u ka bërë më shumë përshtypje në Shqipëri.

“Shqipëria është një parajsë. Njerëzit janë të mrekullueshëm. Më ka bërë përshtypje infrastruktura dhe bukuria natyrore e qyteteve dhe fshatrave. Shpresoj se shqiptarët e kuptojnë sesa gjëra të veçanta kanë”, thotë një turiste kanadeze.

“Më ka bërë përshtypje historia shqiptare. Mahnitëse të gjitha fazat ku keni kaluar dhe të shohësh mbetjet e epokës romake, osmane dhe të mësosh si ia keni dalë në komunizëm”, shprehet një tjetër vizitor i huaj.

“Më kanë bërë përshtypje plazhet. Unë notova dhe janë shumë të pastër. Është kaq e lehtë të mbërrish këtu. S’të duhet të prenotosh. Ka ushqim të mirë. Është një parajsë”, shton një tjetër turiste.

Kisha e Shën Mërisë në ishullin e Zvërnecit është një ndër pikat ku turistët mund të ndalojnë në Vlorë. Përmirësimi i infrastrukturës ka bërë që të jetë më e lehtë qasja te ky objekt, ndërsa infranstruktura e lënë pas dore prej vitesh bën që shumë monumente të tjera të kulturës të mos jenë lehtësisht të arritshme nga turistët.