Veliaj: Autobusa elektrikë dhe 4 mijë biçikleta brenda 2018-s

Postuar: 13:00 / 17.01.2018

Autobusat elektrikë në transportin urban në Tiranë nuk janë një utopi dhe për këtë është i sigurt kryebashkiaku Erion Veliaj.

Në konferencën “Bashkëpunimi Territorial, perspektivë e re për nxitjen e integrimit”, Veliaj tha se kjo risi në transportin publik mund të bëhet realitet për Tiranën brenda këtij viti.

Kryebashkiaku tha se “jemi futur në një marsh të pestë përsa i përket transportit publik me autobusë elektrikë në Tiranë”.

“Transformimi që Polonia bëri, ndihma shumë modeste, për të prodhuar një exchange midis operatorëve tanë dhe punonjësve tanë të transportit publik, me ata polakë, ndoshta ka sjellë një dobi që besoj, prej këtij viti do fillojmë t’i shikojmë hajrin në Tiranë teksa janë bërë porositë e para të autobusëve elektrikë, por besoj në afatgjatë, do kuptojmë sesi frymëzimi dhe shumë pak financim nga një shtet anëtar mund të sjellë rezultate të jashtëzakonshme”, theksoi Veliaj.

Veliaj shtoi më tej se Tirana po ecën me ritme të shpejta për ndërtimin e 10 km korsi për biçikleta, ndërsa theksoi se për një muaj rrugët do të mbushen me 4 mijë biçikleta.

“Tirana është sot e gjitha një kantier i madh me rrjetet e biçikletave. Nëse keni ecur nëpër Tiranë, e shihni që po krijohet një rrjet, është fryt i një projekti ndër më të vegjlit që ka financuar ambasada hollandeze për mobilitetin në Tiranë. Ne jo vetëm po mbarojmë korsitë, për një muaj do të kemi rreth 4000 biçikleta të tjera në Tiranë që besoj se do të sjellin një revolucion në mënyrën se si funksionon një qytet”, tha Veliaj.

Një histori sukesi sipas Veliajt është edhe financimi i banesave për komunitetin rom.

Kreu i Bashkisë tha se përmes bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe Italisë është bërë i mundur sistemimi dhe zgjidhja e problemit të strehimit për 450 familje.