Veliaj mbledh administratorët: Çdo pallat nga 5 pemë të reja

Postuar: 13:41 / 19.01.2018

Tirana është futur në evolucionin e gjelbër. Çdo pallat në kryeqytet do të ketë 5 pemë të reja të mbjella duke përmirësuar jo vetëm anën estetike, por duke krijuar edhe një hapësirë të gjelbër dhe të shëndetshme për banorët e Tiranës.

Gjatë takimit me administratorët e Pallateve dhe Administratorët e 24 Njësive Administrative, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj kërkoi angazhimin e të gjithë qytetarëve për të shfrytëzuar mikro-hapësirat publike për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra.

“Më vjen mirë që janë sot këtu të gjithë administratorët e njësive administrative të Tiranës, të 24 dhe më vjen mirë që sot na janë bashkuar 80 administratorë pallatesh që përfaqësojnë 80 pallate apo 80 komunitete shumë të çmuara të Tiranës, duke u zotuar që secili prej tyre të mbjellë rreth 5 pemë në secilin pallat. Njerëzit janë ndarë në dy kategori; një që vetëm jep mend si shpiket rrota, dhe një kategori tjetër që falë Zotit janë shumica që bën punë”, tha Veliaj, duke shtuar se Tirana ka hyrë tashmë në një shenjë tjetër emancipimi. “Fakti që shqetësimi që kemi sot është sasia e pemëve dhe ky rekord që ne duam të kapim me 100 mijë pemë deri në datën 21 mars ku do të kemi kulmin e fushatës sonë që është edhe Dita Ndërkombëtare e Pyjeve, tregon që Tirana ka hyrë në një revolucion jo vetëm gjelbërimi, por edhe kulturor”, shtoi ai.

Për aksionin që është shtrirë në të gjithë qytetin, duke përfshirë edhe zonat rurale, Kreu i Bashkisë Erion Veliaj kërkoi kontributin edhe të atyre që marrin ndihmë ekonomike që t’i bashkohen kësaj nisme në dobi të gjithë komunitetit. “Dua shumë që në njësitë Administrative të merret një kontakt me të gjithë njerëzit që janë në ndihmë ekonomike. Unë besoj që në aksione të tilla e kemi të gjithë të drejtën që këtyre njerëzve, që në Tiranë janë mbi 5 mijë, t’u themi një ditë punë duam për gjithë këto para që merren. Mund të përkthehet në një punë në komunitet. Unë besoj që të paktën të 5 mijë, përveç të gjithë ne që jemi organizuar dhe e kemi nga dëshira, por edhe të gjithë ata që i marrin këto para nga bujaria e qytetarëve të Tiranës mund të na japin një dorë në fushatën e mbjelljeve. Kështu që ju lutem në kontakt të gjithë njerëzit që marrin një asistencë dhe marrin një çek nga Bashkia e Tiranës që mund ti japin komunitetit një ditë punë”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Deri më 21 mars, Tirana pritet që të tejkalojë numrin e 100 mijë pemëve të reja të mbjella duke vendosur një rekord. “Një ndër gjërat që kemi kërkuar është që të gjithë qytetarët e Tiranës të na bashkohen në fushatën e 21 marsit. Sot, ne kemi një faqe: aprtirana.al, ku ne bëjmë një numërim ditor të pemëve të mbjellë dhe ne sapo kemi kaluar kufirin e 75 mijë pemëve, pra jemi vetëm 25 mijë pemë larg nga rekordi ynë i 100 mijë pemëve për këtë sezon dhe besoj që në qoftë se për ditët që na kanë mbetur vazhdojmë me këtë ritëm, siç e nisëm sot me rreth 400-500 pemë në ditë, jam i bindur se jo vetëm do ta kapim këtë rekord, por edhe do e kalojmë”, nënvizoi ai.

Duke vlerësuar impaktin pozitiv që ka shtimi i sipërfaqeve të gjelbra, Veliaj theksoi se Tirana është 3 herë më I pastër se qendra e Shkupit. “Me këtë iniciativë dhe falë kontributit tuaj, të gjithë këto lagje do të përfitojnë rreth 400 pemë të reja në 80 komunitete, por sigurisht edhe një mjedis më cilësor. Unë isha me kryetarin e Bashkisë së Shkupit i cili ndezi aparatin, dhe i erdhi leximi i aparaturës 180 mikron, në qendër të Shkupit. Ndezëm ne tonën, stacionin mobil, ishte 54, më pak se 1/3, ndotja. Pra, qendra e Shkupit është tre herë më e ndotur se qendra e Tiranës. Pra, më shumë zona pedonale, më shumë biçikleta, gjelbërim, e paskemi vetë në dorë”, deklaroi Veliaj.