Veliaj: Piramida do kthehet në qendrën më të madhe të teknologjisë

Postuar: 13:50 / 02.10.2018

Tirana mirëpriti edicionin e 8-të të LiboCon, konferencës ndërkombëtare vjetore të platformës teknologjike open source LibreOffice, me pjesëmarrjen e më shumë se 250 përfaqësuesve nga e gjithë bota, anëtarë të komunitetit të programuesve dhe zhvillimit të platformave kompjuterike.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës është një nga bashkitë e para në Evropë që zbaton një zgjidhje teknologjike për krijimin dhe ruajtjen e dokumenteve në një format të hapur dhe standard, çka i krijon mundësi qytetarëve që të lexojnë lehtësisht dokumentet zyrtare, pa qenë të detyruar të përdorin platforma specifike dhe të kushtueshme për ta.

Veliaj tha se brenda këtij viti do të nisë puna për ta kthyer piramidën në një shkollë inovatore, që do të zhvillojë kulturën digjitale.

“Piramida e Tiranës do të jetë një tjetër hapësirë për ata që do të merren me teknologjinë e informacionit dhe duan që këto sisteme të hapura të popullarizohen, sidomos tek të rinjtë; do jetë një hapësirë ideale. Punën për transformimin e Piramidës do ta nisim nga fundi i këtij viti dhe vitin tjetër besoj do të kemi një hapësirë, siç janë këto programe të hapura, edhe një hapësirë me mendje të hapur”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj theksoi se është shumë e rëndësishme që kultura digjitale të zhvillohet edhe nëpërmjet programeve të mirëfillta shkollore.

“Është shumë e rëndësishme për që në programet e shkollave të fusim këto koncepte të dijes së hapur dhe besoj se fillimi i mbarë dhe vendosja e Tiranës me këtë reputacion, na jep shumë kurajë për të ecur më tej. Dua të falënderoj të gjithë aktivistët e qytetit tonë, të cilët kanë investuar te kjo teknologji sepse besoj që kur bashkia, qytetarët, aktivistët, programuesit, janë me mentalitetin e krijimit të një shoqërie, qyteti apo edhe të një bote kompjuterike të hapur, mund të kemi një qytet që është më dinjitoz dhe më i aksesueshëm nga të gjithë”, shtoi Veliaj.