Veliaj: Tre shkolla të reja në fund të verës

Postuar: 13:41 / 13.07.2017

Kreu i bashkisë Erion Veliaj është shprehur se në fund të verës do të hapen tre shkolla të reja në kryeqytet.

Veliaj inspektoi punimet për rikualifikimin urban të bllokut të banimit në rrugën “Foto Janku”, si dhe të ndërtimit të këndit të 19 të lojërave.

“Do hapim disa çerdhe dhe kopshte të reja si dhe do të rehabilitojmë një pjesë të madhe të shkollave. Në fund të verës do të hapim edhe shkollat e reja, shkollën ‘Ardian Klosi’ tek Bregu i Lumit, shkollën ‘Hoxha Tahsin’ pranë Pazarit të Ri dhe shkollën ‘Betim Muço’ në Kombinat. Gjithashtu, do të hedhim themelet e shkollës “Kosova”, një nga lajmet e shumëpritura për të gjithë komunitetin e njësisë Nr. 2”,  u shpreh Veliaj.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të përfundojnë procesin e zgjedhjes së administratorëve në mënyrë që të përfitojnë nga fondet e Bashkisë së Tiranës për përmirësimin e infrastrukturës. 

“Duke zgjedhur administratorin mund të vazhdojmë edhe me investime të tjera, mund të jetë fasada, mund të jetë lyerja, mund të jetë veshja me kapot, mund të jenë panelet diellore. Ne kemi pasur këtë muaj të parë 50 aplikime, nga e gjithë Tirana, nga administratorët e pallateve, dhe skema po funksionon”, tha ai.

Veliaj u kërkoi qytetarëve që të tregohen bashkëpunues në lirimin e hapësirave publike të uzurpuara, ndërsa apeloi për një kujdes më të madh në mirëmbajtjen e investimeve".