Veliera e Durrësit mbetet peng i Gjykatës

Postuar: 11:40 / 10.01.2018

Ashtu si në 2017-s edhe në 2018-n, qytetarët durrsakë janë zgjuar nga viti i ri me të njëjtën pamje shëmtie. “Veliera” prej një viti qëndron “gërmadhë” betoni në mes të qytetit, ndërsa asnjë institucion deri tani nuk i ka dhënë zgjidhje.

Sheshi që gjendet në zemrën e vjetër historike të qytetit bregdetar është kthyer padiskutim në sheshin e shëmtuar për të gjithë durrsakët e turistët që kalojnë aty. Më keq se kaq nuk bëhet as për ata që kanë shtëpinë në këtë zonë, të cilët sapo hapin sytë në mëngjes ndeshen me sheshin gërmadhë dhe betonin e lënë përgjysmë.

Gjykata Administrative ka nisur shqyrtimin në themel të aktpadisë për “shfuqizimin e projektit Veliera” të bërë nga shoqëria civile disa muaj më parë.

Në aktpadinë e shoqërisë civile, të hartuar nga Mirela Jorgo avokate dhe Sazan Guri ambientalist, kërkohet shfuqizimi i plotë i projektit “Veliera” me pretendimin se është dëmtuar zona arkeologjike A, gjatë gërmimeve të kryera nga firma zbatuese, aty ku edhe dolën strukturat e shekullit të 18-të.

Kjo gjykatë në shkurt të këtij viti ka bërë edhe pezullimin e projektit në zonën arkeologjke A. Përfaqësuesi ligjor i bashkisë së Durrësit kërkoi kohë nga gjykata për të plotësuar me riakt ekspertimi nga arkeologët për gërrmimet e zbuluara dhe punimet e kryera në shesh, kërkesë e cila u mor parasysh nga gjykata.

Gjyqtari i çështjes Ergys Gashi, pati debate me ambientalistin Sazan Guri, pasi nuk lejoi mediat të ishin prezente në sallë. /syri.net/