Vorë-Fushë Krujë, rrugë me parametrat e duhura të sigurisë dhe sinjalistikës

Postuar: 11:31 / 03.12.2018

Një investim prej 4.9 milionë euro e shndërroi segmentin Vorë-Fushë Krujë në një rrugë me parametrat e duhura të lëvizshmërisë, elementëve të sigurisë dhe sinjalistikës.

Ky segment edhe pse renditet i dyti në vend për nga numri i mjeteve që qarkullojnë në ditë, pas autostradës Tiranë-Durrës, kishte degraduar në vite në një aks pa asnjë standard dhe me rrezikshmëri të lartë për aksidente rrugore.

Kryeministri Edi Rama uroi mirëmëngjes me pamje nga rruga e rindërtuar Vorë-Fushë Krujë.

“Mirëmëngjes dhe me pamjet e rrugës së rindërtuar Vorë-Fushë Krujë, ju uroj një javë të mbarë”, shprehet Rama.

11 kilometrat e aksit Vorë-Fushë Krujë iu nënshtruan rehabilitimit të plotë në kuadër të programit të qeverisë për mirëmbajtjen e akseve kombëtare.

Ndërhyrja në këtë aks parashikonte rehabilitimin e plotë të nënshtresave dhe paketë të plotë asfaltike, si dhe gjithë sinjalistikën vertikale e horizontale.

Ky aks konsiderohet me rëndësi, pasi lidh autostradën Tiranë-Durrës me pjesën e veriut të vendit, shkruan ATSH.