Besa bën hapin e madh

Postuar: 11:37 / 04.09.2017

Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famgas ka bërë hapin e madh për të kaluar rrethin e parë të Kupës së EHF-së, që është niveli i dytë i garave evropiane.

Besa të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë fitoi me tetë gola dallim, 29:21, ndaj Beykozit turk.

Ndeshja e kthimit luhet pas një jave në Turqi, por një epërsi prej tetë golave nga ndeshja e parë do t'ua bëjë pejanëve udhëtimin më të lehtë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gjithsesi fitorja nuk është garanci që Besa do të kalojë raundin, ndonëse është në rrugën e duhur për të bërë këtë.

Ekipi pejan, që drejtohet nga Arben Muqolli, herët ka krijuar epërsi që vetëm është rritur me kalimin e kohës. Pjesa e parë u mbyll 14:9 për Besën, ndërsa më pas epërsia shkoi deri në tetë gola.