“Deklarata e papranueshme” e Lladrovcit po shemb një prej klubeve më të forta

Postuar: 10:16 / 13.12.2017

Deklarata e Ramiz Lladrovcit, e vlerësuar tërësisht e papranueshme nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), ka bërë që klubi, ndër më të fortët dhe më të organizuarit në vend, Ferronikeli, të kthehet gati në "pikën zero", shkruan sot Koha Ditore.

Pas thirrjes së kryetarit të Drenasit, Lladrovci, për të dhënë përgjegjësi, për, siç ka thënë ai, "rezultate të dobëta", kryetari i klubit Ferronikeli, Ekrem Elshani, ka dhënë menjëherë, të hënën, dorëheqjen, e pas tij edhe shumica e anëtarëve të Kryesisë.

Të martën është raportuar edhe për largimin e shumë zyrtarëve të tjerë të skuadrës, përfshirë edhe të administratës.

E largimi i kryetarit dhe i anëtarëve të Kryesisë, nga ata pak persona që kanë ngelur dhe që folën vetëm në kushte anonimiteti, vlerësohet se mund të sjellë krizë të madhe organizative e financiare.

Sipas dokumenteve të siguruara nga gazeta, Komuna e Drenasit kontribuon në buxhetin e klubit me më pak se 15 për qind, apo me fiks 51 mijë euro në vit, kurse mjetet e tjera, rreth 300 mijë euro, i sigurojnë anëtarët e Kryesisë, qoftë mjete vetjake, qoftë me sigurimin e sponsorëve, donatorëve dhe nga burime të tjera.

Të hënën, kur kryetari Lladrovci e ftoi Elshanin për të dhënë përgjegjësi, ai u mbështet në atë se Komuna është kontribuesja më e madhe në buxhet, por bazuar në pasqyrën e auditorit të pavarur për vitin 2016, del se Komuna kontribuon me vetëm 15 për qind të mjeteve.