“El Clasico” e Vushtrrisë

Postuar: 10:29 / 19.12.2017

Me gjithë përpjekjet e kohëpaskohshme, sporti kosovar nuk ka një përballje derbi të përhershëm që mund të marrë epitetin e “El Clasicos” kosovare.

Ka pasur përpjekje që ndeshjet në basketboll ndërmjet Prishtinës e Trepçës të quhen me emrin e madh, të rezervuar për përballjet e futbollit ndërmjet dy skuadrave të mëdha të Spanjës, Real Madridit e Barcelonës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ka pasur përpjekje të kohëpaskohshme që termi “El Clasico” të përfshihet edhe në futbollin e Kosovës, për ndonjë sfidë, por pa sukses.

Por “El Clasico” është pjesë e futbollit dhe sportit kosovar. Është në një formë të veçantë, si rrallë në ndonjë vend tjetër. Është prezent me balon-sallë të futbollit dhe me një shkollë të futbollit që në të ardhmen synon të bëhet klub futbolli.

Në dalje të Vushtrrisë, në rrugën për në Prishtinë, vërehet fare lehtë balon-salla që quhet “El Clasico”. Është skaj rrugës që frekuentohet shumë dhe më të dukshme e bënë emri që mban.