Federata Ndërkombëtare e Xhudos e çon në qiell Majlinda Kelmendin

Postuar: 15:10 / 24.01.2019

Xhudistja pejane është kualifikuar në finale të Grand Prix të Tel Avivit në Izrael. Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) e ka çuar në qiell Majlinda Kelmendin, shkruan Gazeta Express.

Xhudistja pejane është kualifikuar në finale të Grand Prix të Tel Avivit dhe institucioni më i lartë i xhudos botërore i ka thur lavde kampiones olimpike, e cila ka gjasa të mira ta fitojë medalje e artë pas pak orësh pas përballjes në finale me izraeliten Gili Cohen.

“Majlinda Kelmendi nga Kosova e demonstroi dominimin e saj në kategorinë 52 kilogramë derisa e mundi në gjysmëfinale rumunen Chitu për t’ia siguruar vetes një vend në finale kundër favorites vendëse Gili Cohen. A do të jetë në gjendje kampionia olimpike ta vazhdojë dominimin e saj përpara palestrës ‘Shlomo Arena’ këtu në Tel Aviv?”, shkruan IJF në grupin e saj zyrtar në Facebook.

Majlinda e nisi vitin 2019 në mënyrë fantastike. Kurse, nesër garon xhudistja tjetër pejane, Loriana Kuka.