Lebibe Topalli-Shabani shpallet artiste e vitit 2016 në Ferizaj

FerizajPostuar: 16:08 / 28.12.2016

Organizuar nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është mbjatur koncerti i fundviti me ç’rast është zgjedhur edhe artisti i vitit 2016.

Në një konkurrencë prej dhjetë të nominuarëve nga grupe, shoqëri civile, shoqata dhe organizata, komisioni këtë vit me titullin e artist të vitit ka shpallur piktoren ferizajase Lebibe Topalli.

Për aktivitetet kulturore të zhvilluara gjatë vitit 2016 në komunën e Ferizaj ka fol edhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa ,i cili këtë vit e ka cilësuar si një vit të suksesshëm në fushën e artit dhe të kulturës.

“Është kënaqësi e rrallë për mua të qëndroj në mesin e komunitetit artistik, në mesin e njerëzve që me krijimtarinë dhe me veprat e tyre, i fisnikërojnë jetët tona, na e kënaqin dhe na e edukojnë ndjenjën për të bukurën, duke na bërë që të besojmë më shumë në prirjet dhe aftësitë ndërtuese e krijuese të njerëzve tanë, duke na bërë të besojmë se jeta është e bukur, veçse duhet t’i njohim e t’i shijojmë anët pozitive, dhe t’i njohim e t’i mënjanojmë, me sa të jetë e mundur, anët negative të saj. Gjetja dhe shijimi i anëve pozitive të jetës, bëhet edhe duke i parë anët e shëmtuara të realitetit në kohë e vende të ndryshme, prandaj edhe në kohën dhe në vendin tonë. Artistët me veprat e tyre na e sjellin më afër se kushdo tjetër, më afër se shkencëtarët e historianët, politikanët e ekonomistët, mjekët e gjykatësit anën e bukur, por edhe atë të shëmtuar të çdo realiteti, për ta njohur atë më mirë, më për së afërmi dhe për të nxjerrë mësime. Jo më kot kanë thënë se Balzaku në kohën e tij, u ka ofruar analizën më të mirë ekonomik e shoqërore lexuesve, se sa të gjithë ekonomistët së bashku. Po kështu kanë bërë, kush më shumë e kush më pak, edhe krijues të tjerë, të mëdhenj e të vegjël, secili sipas mundësive e vendeve të tyre.

Kështu kanë bërë edhe krijuesit tanë gjatë gjithë kohës, prejse datojnë artet në anët tona. Prandaj, çdo popull e vend i qytetëruar, u jep vendin e nderit krijuesve të vet, të cilët me krijimtarinë e tyre të larmishme, japin kontribut të pazëvendësueshëm në përparimin, begatimin e sidomos në fisnikërimin e qytetërimit” ka thënë kryetari Svarqa.
Ai me tutje ka shtuar se asnjë qytetërim nuk mund të merret me mend, pa artet e tij.
“Madje, jo rrallë, e ardhmja e krijon gjykimin për vlerat e një qytetërimi, pikërisht duke u mbështetur në vlerat e veprave artistike të trashëguara. Së këndejmi, si qytetar i Ferizajt, ndihem mirë që i takoj një mjedisi, ku pothuaj gjatë gjithë vitit, vlojnë aktivitetet krijuese në lëmenj të ndryshëm të arteve. Por, artistët tanë, ashtu e gjithë shoqëria, në mos më tepër, po i ndiejnë pasojat e transicionit të tejzgjatur. Shoqëria jonë ende nuk ua ka siguruar krijuesve kushtet që i meritojnë. Mirëpo vullneti dhe përpjekjet nuk mungojnë. Artistët kanë nevojë për kushte, në të cilat ata do ta zhvillonin të papenguar krijimtarinë e tyre. Por artistët gjithashtu kanë nevojë që të bashkëjetojnë me popullin e tyre, në të mira e në vështirësi.

Në këto kushte e rrethana në të cilat jetojmë, një gjë që do të duhej ta bëjmë, është që së paku t’i nderojmë krijuesit tanë, me ato mundësi që i kemi. Komuna e Ferizajt tashmë ka një rregullore për këtë qëllim dhe ne do ta zbatojmë atë, sipas mundësive dhe rrethanave. Në këtë kuptim është edhe kjo mbrëmje e sontme, për të nderuar krijuesit që janë spikatur gjatë këtij viti. Unë i përgëzoj të përzgjedhurit, ndërsa ata që nuk janë përzgjedhur sivjet, uroj që të mos dekurajohen, por ta vazhdojnë me këmbëngulje krijimtarinë e tyre, sepse sukseset nuk do të mbeten të pavërejtura”, ka përfunduar kryetari Svarqa.

Me këtë rast para publikut në Teatrin “Adriana” u dha edhe një koncert më këngë e vallë të përgatitur nga AKV “Kastriotët”, këngëtarë si dhe këngëtarë ,pjesëmarrëse të Festivalit “Kosovarja Këndon”./InfoKomuna/