Flamurtari e Vëllaznimi kanë rastet e fundit për të mbetur në elitë

Postuar: 09:49 / 23.05.2018

Stadiumi i qytetit në Drenas për dy ditë rresht do t'i mbajë dyert e hapura. Në "Rexhep Rexhepi" sot dhe nesër do të luhen dy ndeshje barazhi ku do të vendoset për dy skuadrat që do të luajnë stinorin e ardhshëm në Superligë, shkruan sot Koha Ditore.

Flamurtari e Vëllaznimi synim kanë mbetjen në elitë, kurse Vushtrria e Ferizaj rikthimin.

Dueli i parë i barazhit luhet të mërkurën dhe takohen Vushtrria, që ka përfunduar e treta në Ligën e Parë, dhe Flamurtari, që ka përfunduar i dhjeti në Superligë.

Një ditë më vonë, të enjten, luhet ndeshja tjetër ndërmjet Ferizajt, që ka përfunduar në vendin e katërt në Ligën e Parë, dhe Vëllaznimit, që ka përfunduar i dhjeti në Superligë. Të dy ndeshjet nisin në orën 16:00.

Vushtrria stërvitjet e fundit i ka zhvilluar pa trajnerin e parë, Isa Sadriu, i cili ka qenë i angazhuar nga Federata e Futbollit e Kosovës për kampin U15, që u mbajt më 20 dhe 21 të këtij muaji në Oslo të Norvegjisë.

Trajneri i Flamurtarit, Gajur Rexhepi, insiston se ekipi i tij është një hap para Vushtrrisë.