Përfundon turneu i Karatesë në Fushë Kosovë

Fushë KosovëPostuar: 16:03 / 13.03.2018

Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës, z. Burim Berisha, të dielën u mbajt Turneu IV-të Ndërkombëtar Tradicional i Karatesë “Fushë-Kosova Open 2018” në Fushë-Kosovë.

Nurije Avdiu, drejtoreshë e DKRS bëri hapjen e turneut duke i njoftuar të pranishmit se së shpejti do të ndërtohet një Palestër Sportive me mbi 1,200 ulëse dhe një tjetër pikërisht për sportet Marciale, raporton InfoKomuna.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës dhe Kryetari i klubit “Fushë-Kosova”, Bashkim Ibrahimi.

Hapjen solemne e madhështoi, me tingujt e tij “Ansambli “Zëri i Kosovës” i cili u prit me duartrokitje të gjata.

Mbi 500 garues morën pjesë nga Kosova dhe vendet e rajonit të cilët garuan për medalje, Palestra Sportive ishte vend i vogël për t’i pranuar të gjithë të interesuarit për përcjelljen e këtij Turneu kaq të madh, që rrallë është mbajtur ndonjëherë në Kosovë një i tillë.

Klubet e Fushë-Kosovës treguan rezultatet më të mira ndër të gjitha klubet.

Karateistët e Klubit “Fushë-Kosova“ Fushë-Kosovë u renditën në vendet e para duke grumbulluar 11 medalje të arta, 2 të argjendta dhe 8 të bronzta. Nga 44 klube që morën pjesë Klubi i karatesë ”Fushë-Kosova“ u rendit në vendin e parë të këtij turneu, gjithashtu edhe Klubi i Karatesë nga Fushë-Kosova “Martial Arts“ tuboi 2 medalje të arta, 3 të argjendta dhe 8 të bronzta.

Komuna e Fushë-Kosovës - DKRS u nderuan me Mirënjohje nga Federata e Karatesë së Kosovës për kontributin e dhënë në zhvillimin e sportit të karatesë.

Mbajtjen e këtij Turneu e organizoi Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Federata e Karatesë së Kosovës dhe Klubi i karatesë “Fushë Kosova“. /InfoKomuna/