Sportistë të karatesë iu nënshtruan provimit të KYU

Fushë KosovëPostuar: 12:54 / 19.12.2016

Në Sallën e Sporteve në Fushë-Kosovë, nga Klubi i Karatesë “Fushë-Kosova”, u organizua Promovimi për Breza KYU në nivel të Rajonit të Prishtinës, Obiliqit, Podujevës dhe nikoqir Fushë-Kosova. Pjesëmarrës ishin mbi 80 sportistë (karateistë) të grupmoshave të ndryshme që iu nënshtruan provimit (KYU) në teknika dhe kata.

Këtë aktivitet e nderoi edhe më shumë prania e mjeshtrit të karatesë, që jeton dhe vepron në Suedi, sensei Osman Ejupi (7 DAN) që edhe ishte Kryetar i Komisionit për Breza me anëtarë Sami Begolli dhe Aziz Fejzullahu.

Aktiviteti në fjalë u vëzhgua nga Federata e Karatesë si dhe shumë prindër të cilët lavdëruan punën e trajnerëve Isak Curri e Granit Hykolli (Fushë-Kosovë), ku iu dëshiruan suksese edhe më të mëdha në të ardhmen.

Komuna e Fushë-Kosovës - Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, falënderoi “Klubin e Karatesë “Fushë- Kosova” për organizim të shkëlqyeshëm dhe premtoi se do të vazhdojë përkrahjen morale dhe financiare të të gjitha Klubeve sportive dhe sportistëve të cilët sjellin rezultate në të ardhmen./InfoKomuna/