Gjakovë: Kryetarja Kusari – Lila, viziton klubin e hendbollit "Shqiponja"

GjakovëPostuar: 22:02 / 16.11.2016

Kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, sot ka marrë pjesë në ndeshjen kampionale në hendboll për femra, në mes të Klubit “Shqiponja” nga Gjakova dhe klubit “Kastrioti” nga Ferizaj.

Qëllimi i kësaj vizite, pos përcjelljes së ndeshjes, ka qenë edhe takimi dhe urimi për vajzat e ekipit gjakovar, të cilat gjatë vikendit që e lamë pas arritën ta mposhtin ekipin izraelit “Maccabi Ramat” nga Tel Avivi, dhe duke u futur kështu në mesin e 16 ekipeve më të mira në Evropë për hendbollin e femrave.

Në takim mjaft të ngrohtë me hendbollistët e “Shqiponjës”, kryetarja Kusari – Lila ka thënë se suksesi i arritur në ndeshje kundër ekipit izraelit ka bërë që vajzat gjakovare t’i gëzojnë jo vetëm adhuruesit e hendbollit në një rreth të ngushtë, por tërë qytetarët e Gjakovës dhe të Kosovës, të cilët e kanë përcjellë me admirim suksesin e ekipit gjakovar.

Kryetarja Kusari – Lila ka shtuar se fillimisht i vjen mirë që ky sukses i madh vjen prej një ekipi nga Gjakova e gjithashtu i vjen mirë që ky është një sukses i një ekipi të femrave. Ajo ka thënë se suksesi në sportin femërore ka marrë përmasa të mëdha kohëve të fundit, prandaj ka shfaqur shpresën e saj që raste të tilla të ndikojnë që edhe më shumë femra të inkuadrohen në aktivitete të ndryshme sportive./InfoKomuna/