Komuna e Gjakovës përkrah volejbollistët e “Vllaznimit”

GjakovëPostuar: 12:47 / 19.04.2016

Kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e ka vizituar klubin e volejbollit “Vllaznimi”, klub i cili është riaktivizuar në kategorinë e meshkujve dhe të femrave pas një pauze 11 vjeçare.

Në një takim me volejbollistet dhe volejbollistët gjakovarë, por edhe me anëtarët e kryesisë së klubit dhe trajnerët, kryetarja Mimoza Kusari – Lila i ka përgëzuar ata për iniciativën e riaktivizimit të klubit, ndërsa ka premtuar se komuna dhe drejtoria komunale e sportit në veçanti do të jetë afër tyre me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e veta.

Kryetarja Mimoza Kusari – Lila ka thënë se për të si kryetare janë të mirëseardhura lajmet për aktivizimin sportiv, sepse sporti është rruga më e mirë për ta pasur një trup e një mendje të shëndosh dhe largë dukurive negative.

KV “Vllaznimi” është klubi i tretë sportiv që po riaktivizohet kohëve të fundit, pasi vetëm pak javë më parë në arenën sportive janë rikthyer pas shuarjes së mëhershme edhe Klubi i Atletikës “Vllaznimi” dhe Klubi i Shahut “Vllaznimi”, klube të cilat tashmë edhe kanë filluar me ang azhimin nëpër gara të ndryshme në nivel vendi.

Komuna e Gjakovës tashmë ka ndarë një shumë prej 60 mijë euro për pjesën e mbetur të vitit 2016, për financimin e drejtpërdrejtë të klubeve sportive./InfoKomuna/