I vjen fundi stinorit më të dobët të pasluftës

Postuar: 11:14 / 18.12.2017

Fitore të pritura të Sigal Prishtinës ndaj Rahovecit e Golden Eagle Yllit ndaj Boreas. Fitore befasuese e Trepçës ndaj Bashkimit dhe humbje turpëruese e Pejës nga Kerasan Prishtina (104:76).

Janë këto rezultatet e ndeshjeve të së premtes e të shtunës, që i takuan javës së 14-të të IP Superligës së Kosovës në basketboll, shkruan sot “Koha Ditore”. Me këto ndeshje është mbyllur stinori vjeshtor i kampionatit të Kosovës. I ka ardhur fundi stinorit që vlerësohet të ketë qenë më i dobëti i basketbollit kosovar pas luftës, përkatësisht për afro dy dekadat e fundit.

Është kriza e thellë financiare e skuadrave që ka sjellë gjendjen e rëndë në kampionatin e Kosovës në basketboll. Ka pasur dukshëm më pak shikues se në edicionet e kaluara, dukshëm më pak rivalitet, fare pak basketboll cilësor e shumë vlerësime për nivelin e ulët që ka prekur dikur sporti më i popullarizuar në vend.

Edhe në Federatën e Basketbollit të Kosovës kanë pranuar se ky ishte edicioni më i dobët i pasluftës. Kryetari i FBK-së, Erolld Belegu, ka përmendur të dielën disa arsye që kanë sjellë krizën e thellë financiare të klubeve që ka bërë që basketbolli të bjerë shumë si sport.