Kosova jep sinjale të pjekurisë

Postuar: 11:35 / 15.11.2017

Njohësit e lojës së futbollit vlerësojnë se reprezentuesit e Kosovës kanë dhënë provimin, jo për lojën, sa për karakterin e treguar.

Kosova gjatë gjithë kohës ishte në ndjekje të rezultatit, por në fund fitoi miqësoren me Letoninë 4:3 dhe kjo vlerësohet edhe si pjekuri e ekipit pas një cikli eliminator dëshpërues.

Mysafirët tri herë u gjetën në epërsi në ndeshjen e luajtur në Mitrovicë 0:1, 1:2 dhe 2:3, por në fund pësuan, shkruan Koha Ditore.

Trajnerë futbolli vlerësojnë se lojtarët kosovarë ishin skajshmërisht të motivuar, meqë luanin ndeshjen e parë në Kosovë pas pranimit në UEFA dhe FIFA. Shumica e reprezentuesve nuk kishin luajtur në Kosovë as para pranimit ndërkombëtar.

Motivi ishte i madh, megjithëse bëhej fjalë për miqësore.

Në këtë ndeshje ekipin kosovar e udhëhoqi Muharrem Sahiti, që ishte ndihmës i Albert Bunjakit të larguar pas përfundimit të ciklit eliminator për botërorin "Rusia 2018", ku Kosova mori vetëm një pikë në dhjetë ndeshje. Pësoi nëntë humbje rresht dhe kjo seri u ndal të hënën mbrëma pas fitores në Mitrovicë.