Përkrahet hapja e shkollës së volejbollit në Malishevë

MalishevëPostuar: 14:27 / 08.03.2018

Klubi i volejbollit "Malisheva", së shpejti pritet të bëhet edhe me shkollën e volejbollit, pasi ky është edhe një prej standardeve dhe në të njëjtën kohë edhe projekt i Federatës së Volejbollit të Kosovës(FVK), raporton InfoKomuna.

Për këtë qëllim, sot, kryetari i FVK-së, Abedin Ibrahimi me bashkëpunëtorë ka qëndruar në Malishevë, ku është takuar me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, me të cilin kanë biseduar për përkrahjen që do ta ketë kjo shkollë.

Kreu i Malishevës, Ragip Begaj, ka thënë se komuna që drejton ai, në veçanti në katër vitet e fundit, e ka përkrahur sportin në masë të madhe, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për sportin në përgjithësi, përfshi edhe volejbollin, dhe brenda mundësive buxhetore do të përkrahet edhe hapja e kësaj shkolle, si dhe krijimi i kushteve më të mira dhe sipas standardeve evropiane të volejbollit, në mënyrë që klubi të ketë rezultate, por edhe të drejtë të garoj edhe në garat në nivel më lartë".

Ndërsa kryetari i FVK, Abedin Ibrahimi, tha se "federata e ka filluar këtë projekt me klubet e volejbollit, për hapjen e shkollave, me qëllim të përhapjes së sporti të volejbollit dhe rritjes së cilësisë, si dhe krijimin e kushteve, apo plotësimin e standardeve në fushat e volejbollit".

Sipas tij, ndihma e komunave, krahas përkrahjes që kanë nga Federata Evropiane e Volejbollit, është e domosdoshme dhe shumë e rëndësishme.

Begaj e Ibrahimi, janë pajtuar që brenda mundësive buxhetore të komunës, të përkrahet hapja e shkollës së volejbollit, pasi Malisheva i ka të gjitha parakushtet për funksionimin e kësaj shkolle, por edhe për përgatitjen e volejbollistëve dhe fushave sportive, për zhvillimin e garave, sipas standardeve. /InfoKomuna/