Nënkryetari Kamberi priti përfaqësuesit e KA "Mitrovica"

MitrovicëPostuar: 11:10 / 21.09.2016

Nënkryetari i komunës, Safet Kamberi, tha se është i lumtur që atletët mitrovicas, edhe në kushtet e vështirësuara të punës, po arrin suksese në gara të ndryshme të rëndësishme.

Nënkryetari i komunës, Safet Kamberi, ka pritur përfaqësuesit e Klubit Atletik “Mitrovica”, me në krye Xhavit Tahiri, drejtues i klubit, të cilët e kanë informuar për punën që janë duke e bërë atletët dhe atletet, kushtet e punës dhe sukseset e arritura.

Tahiri i ka thënë nënkryetarit Kamberi, se edhe përkundër kushteve të vështirësuara, atletët e klubit, duke u angazhuar maksimalisht dhe me përkushtim kanë arritur rezultate shumë të mira në garat e ndryshme.

Ai ka thënë se Klubi atletik “Mitrovica”, gjatë këtij viti ka fituar garat kryesore të atletikës, gjë e cila i ka inkurajuar atletët që të vazhdojnë të merren me atletikë.
“Ne e dimë se komuna ka probleme të shumta dhe të ndryshme. Madje jemi të vetëdijshëm se në komuna ka shumë klube sportive që duhet të mbështeten. Mirëpo, mendojmë se mbështetja e klubit me mjete financiare nga buxheti i komunës, duhet të jetë më i madh, ashtu sikur që duhet të ndahet buxhet më i madh edhe për sportistët tjerë.

Nënkryetari i komunës, Safet Kamberi, tha se është i lumtur që atletët mitrovicas, edhe në kushtet e vështirësuara të punës, po arrin suksese në gara të ndryshme të rëndësishme.
“Ne i kuptojmë shqetësimet tuaja dhe të sportistëve tjerë lidhur me mbështetjen e pamjaftueshme financiare nga komuna, Por, mundësitë aktuale janë këto që janë, pasi që komuna ka probleme të shumta sociale e të tjera, për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm. Prandaj, besoj se keni mirëkuptim për këtë. Natyrisht se ne në të ardhmen do të bëjmë çmos që kjo gjendje të përmirësohet për të mirë.

Sidoqoftë, sukseset tuaja dhe të sportistëve tjerë na gëzojnë shumë, por edhe obligojnë që të përkujdesemi më shumë sportin në përgjithësi”, tha ndër të tjera nënkryetari Kamberi./InfoKomuna/