MKRS-ja dyshon se Komuna mund të menaxhojë e vetme stadiumin

Postuar: 12:22 / 26.09.2018

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka dyshime të mëdha se Komuna e Prishtinës ka kapacitete për ta menaxhuar dhe mirëmbajtur e vetme stadiumin "Fadil Vokrri".

Për ta ruajtur investimin rreth nëntë milionësh, kreu i MKRS-së, Kujtim Gashi, ka propozuar që menaxhimi i stadiumit të jetë i përbashkët nga Komuna e Prishtinës, pronë e së cilës është stadiumi dhe Federata e Futbollit e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Por ky propozim i ministrit Gashi nuk ka gjetur mbështetje nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Kryetari Ahmeti insiston se Komuna ka kapacitet për ta menaxhuar e vetme stadiumin e rinovuar, kryesisht me para të MKRS-së.

Ministri Gashi nuk ka dhënë ndonjë shifër se sa mund të jetë kostoja mujore e mirëmbajtjes. Por insiston se është e papërballueshme nga Komuna si në aspektin financiar ashtu edhe profesional.