MKRS premton investime në ndërtimin e pishinave për notarët

Postuar: 13:45 / 18.09.2018

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, është zotuar se do të investojë në ndërtimin e pishinave për notarët kosovarë, pas një takimi me drejtuesit e Federatës së Notit të Kosovës.

Ministria njoftoi se në takim u bisedua për infrastrukturën fizike për sportin e notit dhe plotësimin e saj nëpër qendrat e ndryshme të Kosovës, transmeton Express.

“Konkretisht, u diskutua për fillimin e investimeve që pritet të realizohen në vitin e ardhshëm. Në këtë drejtim, ministri Gashi u zotua se do të fusë në plan ndërtimin e disa pishina gjysmë-olimpike për vitin 2019”, thuhet në njoftim.

Kryetari i FNK-së, Imer Rama e mirëpriti zotimin e ministrit për investimet që MKRS-ja i ka në plan t’i realizojë. Rama e konsideroi se përmes këtyre projekteve interesimi për sportin e notit do të rritet.

Ndërsa, ministri Gashi falënderoi drejtuesit e FNK-së për informacionet dhe nevojat e shfaqura. Ministri u shpreh se do të bëjë maksimumin që notarët e Kosovës të kenë hapësirat e nevojshme për të realizuar aktivitetet dhe garat e tyre.