MKRS vendos përfundimisht: Prishtina – Drita nuk luhet në kryeqytet

Postuar: 15:45 / 15.05.2018

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka vendosur përfundimisht se ndeshja kryesore e sezonit në Superligën e Kosovës, ndërmjet Prishtinës dhe Dritës të mos zhvillohet në Stadiumin e Qytetit në kryeqytet.

MKRS-ja ka thënë në një komunikatë se nëse do të lejohej të zhvillohej kjo ndeshje në stadiumin e Prishtinës, e cila është e fundit në Superligë, do të dëmtohej i gjithë procesi i rregullimit të stadiumit.

Pak ditë para ndeshjes së fundit që përcakton edhe kampionin e ri të Kosovës, kryeqytetasit kishin dalë me kërkesë që të lejohej zhvillimi i kësaj ndeshje në kryeqytet, në stadiumin në të cilin po punohet qe shumë muaj.

MKRS tani ka deklaruar se as që është e interesuar të dëmtojë investimin që ka bërë dhe se nuk dëshiron të marrë ndonjë dënim eventual nga UEFA.

“Pas kërkesës që ka parashtruar F.C. Prishtina dhe Komuna e Prishtinës për lejimin e zhvillimit të ndeshjes mes Prishtinës dhe klubit të futbollit Drita nga Gjilani, përfaqësues të MKRS-së, Komunës së Prishtinës, Federatës së Futbollit të Kosovës, të F.C. Prishtinës dhe punëkryesit janë takuar në stadium për të analizuar në vend të ngjarjes kërkesën dhe situatën e re të krijuar."

"Siç është bërë e ditur për opinion, MKRS-ja ka vepruar sipas rekomandimeve te UEFA-së, ku ka proceduar me njoftimin e kontratës së negociuar me qëllim të realizimit të projektit që do të përfundojë me 30 qershor 2018, kontratë e cila edhe ka përcaktuar planin dinamik me punë-kryesin."

"Para kësaj date, lejimi i zhvillimit të çfarëdo ndeshjeje shkel kushtet e kontratës dhe përbën shkelje edhe ligjore dhe dëmton procesin në përgjithësi. Prandaj, si MKRS nuk jemi të interesuar as që të dëmtojmë investimin që kemi bërë në stadiumin e Prishtinës dhe as nuk duam të marrim ndonjë dënim eventual edhe nga UEFA”, thuhet në një njoftim të MKRS-së.