Në Klinë do të ndërtohet një fushë ndihmëse e futbollit

KlinëPostuar: 12:11 / 15.03.2018

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj bashkë me nënkryetarin Besim Hoti dhe drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport, Skender Merturi, janë takuar sot në Klinë me zëvendësministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Mazreku, ku është biseduar për sfidat e Komunës së Klinës në këta sektorë dhe projektet që pritet të realizohen në të ardhmen.

Në kuadër të realizimit të projekteve në Komunën e Klinës, në këtë takim është njoftuar se planifikohet ndërtimi i një fushe ndihmëse të futbollit, e cila përveç KF "Dukagjini" do të ishte në shërbim edhe të grupmoshave tjera të futbollit, raporton InfoKomuna.

Në takim është biseduar për ndërtimin e Qendrës Rinore, Zonën arkeologjike në Dresnik, mbështetjen e klubeve, ndërtimin e fushave sportive në shkolla dhe Festivalin “ I Këndojmë Lirisë”, që mbahet çdo vit.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka kërkuar mbështetje nga Ministria në sektorët e kulturës, rinisë dhe sportit, ndërkaq ka theksuar se të shikohet mundësia që Zona arkeologjike në Dresnik të Klinës, të shpallet zonë e interesit. Komuna e Klinës, ka mundësi të limituara buxhetore dhe kërkohet nga MKRS-ja, që të ndihmojë në zbulimet arkeologjike në Dresnik.

Bashkëbiseduesit janë dakorduar në bashkëpunim të dyanshëm në realizimin e projekteve në Klinë. “ Kemi sfida, por me punë, angazhim dhe ndershmëri do të punojmë për krijimin e kushteve më të mira për rininë tonë”, ka thënë kryetari Elezaj.

Zëvendësministri, Mazreku, njoftoi se sivjet janë planifikuar të ndërtohen 12 fusha ndihmëse për ekipet në Superligën e Kosovës, ndërsa vitin e ardhshëm për ekipet që bëjnë gara në Ligën e Parë të Kosovës. /InfoKomuna/