Nora Gjakova: Kam mësuar më shumë nga humbjet sesa nga fitoret

Postuar: 10:02 / 28.07.2021

Xhudistja Nora Gjakova ndihet krenare me medaljen e saj të artë që e fitoi të hënën në Lojërat Olimpike, në kategorinë deri 57 kilogramë.

Medalja e Norës ishte e dyta e artë për Kosovën në Tokio pas asaj që e fitoi Distria Krasniqi të shtunën e shkuar në kategorinë deri 48 kilogramë.

Një ditë pasi e fitoi medaljen e artë, Nora ka folur për emocionet e saj, pritjet dhe përgatitjet që i kishte bërë para se të udhëtonte për në Tokio.

Gjithashtu, ajo ka folur edhe për gjestin e saj sportiv në finale ndaj francezes Sara Leonie Cysique, ku është përgëzuar nga zyrtarët e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF).

Ajo ka pranuar se lufta më e vështirë e saj në rrugën drejt medaljes ishte gjysmëfinalja ndaj japonezes Tsukasa Yoshida, që ishte favoritja kryesore për medaljen e artë.

Nora ka folur edhe për paraqitjen e vëllait të saj, Akil Gjakova, që në të njëjtën ditë garoi dhe përfundoi i shtati në kategorinë deri 73 kilogramë.