Për një vit e gjysmë është kryer vetëm gjysma e punëve në stadium

Postuar: 10:30 / 21.12.2017

Korriku i këtij viti ishte afati i fundit për kryerjen e punimeve në stadiumin e qytetit të Prishtinës. Por, kur kanë kaluar pesë muaj nga ky afat dhe një vit e gjysmë nga fillimi i punimeve, është kryer vetëm 50-përqindëshi i punëve.

50-përqindëshi tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), presin të kryhet në pesë muajt në vijim, shkruan sot Koha Ditore.

Kohë më parë ishte thënë nga MKRS-ja se stadiumi do të përfundojë në "pranverën e hershme", kurse afat i ri tash është dhënë fundi i muajit maj, që i përket "pranverës së vonshme".

Drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj, është i bindur se punimet do të pranohen nga UEFA dhe se Kosova do t'i luajë ndeshjet kualifikuese në stadiumin e Prishtinës.

Përfaqësuesja e Kosovës ciklin e ardhshëm të ndeshjeve kualifikuese do ta nisë në muajin shtator, por qysh në mars duhet të paraqesë në UEFA stadiumin ku do t'i luajë ndeshjet.