MKRS-ja mbështet rregullimin e stadiumit "Zahir Pajaziti" në Podujevë

PodujevëPostuar: 15:18 / 12.10.2016

Në vazhdën e investimeve kapitale të MKRS-së për përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë, sot, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi me Komunën e Podujevës.

Qëllimi i këtij Memorandumi është mbështetja financiare për realizimin e projektit kapital vendosja e rrethojës metalike në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, transmeton Koha.net. Ky projekt do të ketë mbështetjen financiare nga MKRS-ja në vlerë prej rreth 22 mijë e 800 euro.

Sekretari Veton Firzi, i cili në emër të MKRS-së nënshkroi memorandumin në fjalë, u shpreh se Ministria përmes përkrahjes financiare të projekteve të ndryshme kapitale në fushën e sportit nëpër komunat e Kosovës, po mundohet që të krijojë kushte sa më të volitshme për sportistë dhe në ngritjen cilësore të tyre.

Ndërkaq, kryetari i Podujevës, Agim Veliu, e falënderoi sekretarin Firzi, për përkrahjen që ministria po jep për Podujevën, dhe u shpreh se me këtë investim, po krijohen kushte më të volitshme për futbollin në Podujevë dhe se me finalizimin e rrethojës së stadiumit ‘Zahir Pajaziti’, ai do të ruhet nga dëmtimi eventual./InfoKomuna/