Ahmeti dhe përfaqësuesit e EUSA flasin për zhvillimin e sportit shkollor

PrishtinëPostuar: 13:38 / 26.09.2018

Kryetari Ahmeti bashkë me Drejtorin e Sportit Fitim Rexha pritën në takim Presidentin e Federatës Evropiane të Sporteve Universitare (EUSA), Adam Roczek; Menaxherin e Sportit në këtë federatë, Besim Aliti; Kryetarin e Federatës së Sporteve Universitare në Kroaci, Zrinko Custonja; Kryetarin e Federatës së Sporteve Universitare në Shqiperi, Besnik Veliu; Kryetarin e Federatës së Sporteve Universitare në Kosovë (FSUnK), Musa Selimi me nënkryetaren, Diellza Shaqiri Kelmendi, dhe anëtarin e bordit Muhamet Krasniqi; si dhe Kryetarin e Federatës së Karatesë në Kosovë, Ismet Krasniqi.

Në këtë takim miqësor u fol për përpjekjet e vazhdueshme të Kryeqytetit në zhvillimin e sporteve shkollore, me theks të veçantë në organizimin e garave të ndryshme në këtë nivel.

Pjesë kryesore e diskutimit ishte rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për përkrahjen e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës, Federatë kjo që është pranuar së fundmi në EUSA.

Prishtina po angazhohet për krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për zhvillimin e sportit, ashtu që të rejat dhe të rinjtë të kenë ku ta shprehin dhe ushtrojnë talentin e tyre.