Avdijaj e Nuhiu konfirmojnë ardhjen, Sadiku mungon

PrishtinëPostuar: 11:54 / 20.03.2017

Sulmuesi i skuadrës së Schalkes, Donis Avdijaj e ka konfirmuar se do të jetë i pranishëm në grumbullimin e përfaqësueses së Kosovës për ndeshjen kundër Islandës.

Ardhjen në Kosovë e ka konfirmuar të dielën për gazetën Koha Ditore edhe sulmuesi shtatlartë i Sheffield Wednesday, që garon në "Championship" të Anglisë, Atdhe Nuhiu.

"Nesër në mëngjes do të jem në Kosovë, por nuk e di se a ka ardhur leja", ka thënë Avdijaj, të dielën. Se a ka ardhur apo do të vijë leja prej FIFA-s, nuk e di as Nuhiu. "Nuk e di, por do ta mësoj gjatë këtyre ditëve kur do të jem në Kosovë", ka thënë Nuhiu.

Gazeta ka mësuar se për ndeshjen kundër Islandës do të mungojë sërish mbrojtësi Loret Sadiku që nuk ka leje nga FIFA. Kosovës do t'i mungojë edhe mesfushori Enis Alushi për shkak të suspendimit, kurse nga suspendimi kthehet mesfushori, Hekuran Kryeziu.

Përzgjedhësi Albert Bunjaki vetëm të hënën (sot), nga ora 11:00 do të publikojë listën zyrtare me emrat e lojtarëve të ftuar. Ka pak ndryshime në të. Disa kanë mbetur jashtë, ndërsa emër i ri, pos Nuhiut, është Besart Berisha. Sulmuesi që të enjten ka arritur në Kosovë nga Australia.