Delegacioni i FFK-së vizitoi punimet në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë

PrishtinëPostuar: 14:13 / 10.10.2017

Nënpresidenti i FFK-së, Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe zëvendësekretari, Arianit Ahmeti, kanë vizituar sot punimet në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë.

Ata u njoftuan nga punëkryerësi me gjendjen dhe punët që kanë mbetur për t’u përmbyllur në plotni renovimi i këtij stadiumi. Nënpresidenti Ademi, i cili është përgjegjës për infrastrukturën e stadiumeve, është i ngarkuar konkretisht në përshpejtimin e proceseve për këtë stadium, i cili në fund të punimeve do t’i plotësojë standardet e kategorisë së 4-të sipas kërkesave të UEFA-s.

Ai me këtë rast edhe një herë kërkoi nga Ministria e Sportit që të përshpejtojë procedurat dhe të nënshkruajë sa më shpejt aneks kontratën për punët shtesë, në mënyrë që ritmi i punëve të shkojë si duhet dhe punimet të përmbyllen me kohë, pasi FFK në muajin mars e ka afatin e fundit për ta licencuar këtë stadium në UEFA për zhvillimin e ndeshjeve të kombëtares.

Po ashtu, drejtuesit e FFK-së kërkojnë që të nënshkruhet sa më parë edhe memorandumi ndërmjet Ministrisë së Sportit dhe komunave për menaxhimin e Stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe Stadiumit të Qytetit në Prishtinë.