Klubi Prishtina merr 10 hektarë në shfrytëzim 40 vjeçar

PrishtinëPostuar: 13:57 / 21.01.2019

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përfaqësuar nga ministri Kujtim Gashi dhe klubi i futbollit F.C. “Prishtina”, përfaqësuar nga Remzi Ejupi, kanë nënshkruar kontratë për shfrytëzim të pronës së paluajtshme, përmes së cilës Klubit të Futbollit Prishtina i jepet në shfrytëzim për afat prej 40 viteve parcela në Zonën Kadastrale Bërnicë e Poshtme me një sipërfaqe prej 100000 m² (10 hektarë), njofton MKRS përmes një komunikate për media.

Shfrytëzuesi i parcelës, F.C. “Prishtina” do ta shfrytëzojë këtë hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe ndërtimin e fushave sportive dhe kampusit sportiv deri më 31 dhjetor 2059.

Me këtë rast, ministri Gashi u shpreh se ofrimi i kësaj hapësire për klubin e kryeqytetit vjen për shkak të nevojës që ka kryeqyteti për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar aktivitetet e ndryshme sportive, me theks futbollit.

“Ndjehemi jashtëzakonisht të kënaqur që u mundësua deri tek kjo fazë, kur po i ndajmë 10 hektarë sipërfaqe klubit të futbollit ‘Prishtina’, për shfrytëzim, si një mundësi tepër e madhe për ta që ndërtojnë fusha dhe kampus sportiv, si dhe të zhvillojnë aktivitetet e tyre në këtë pjesë. Bërnica e poshtme do të jetë adresa e re e sportit në kryeqytetin e Republikës së Kosovës”, tha mes tjerash ministri Gashi.

Ndërkaq, përfaqësuesi i F.C. “Prishtina, Remzi Ejupi e falënderoi ministrin Gashi për kontributin dhe angazhimin e treguar në këtë proces i cili është i rëndësisë së veçantë për klubin, futbollistët dhe sportistët kryeqytetas në përgjithësi.

 “Është një sukses i madh për sportistët e Prishtinës dhe i shpreh mirënjohjen ministrit Gashi dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për përkrahjen që kanë treguar. Me dhënien në shfrytëzim të kësaj hapësirë, do të krijohen mundësi të reja për sportin në kryeqytet”, tha Ejupi.