S'ka mjete për ndërtimin e stadiumit nacional të Kosovës

PrishtinëPostuar: 14:34 / 14.03.2017

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri dhe disa deputet e ministra e kanë inspektuar tokën prej më shumë se 37 hektarësh në Bernicë, ku do të ndërtohet stadiumi nacional i Kosovës.

Por, edhe pse është caktuar vendi, ende nuk dihet se kur do të fillojë, e as kur do të përfundojë stadiumi që pritet të jetë modern me rreth 30 mijë ulëse, raporton KTV.

I pari ekzekutivit të vendit, Mustafa, ka deklaruar se ende nuk i kanë siguruar mjetet për ndërtimin e stadiumit.

“Do të përplotësojmë të gjitha kriteret e UEFA-s dhe të FIFA-s. Si Qeveri më vjen mirë që kemi arritur që të përmbyllim disa investime në disa fusha dhe që kemi krijuar hapësirë tani që të merremi me sportin. Edhe organizatat sportive, edhe qytetarët, por edhe rinia e meritojnë që ne t’i japim përparësi themelore kësaj fushe dhe ne do të bëjmë maksimumin që të sigurojmë mjete qoftë nga buxheti, qoftë nga organizatat e tjera dhe vendet e tjera. Ka vija të tilla financiare të cilat ne i kemi hulumtuar deri më tani dhe mund t’i shfrytëzojmë që të ndërtojmë këtu stadiumin i cili do të plotësojë të gjitha kriteret e FIFA-s dhe UEFA-s, që të ndërtojmë edhe stadiume të tjera shtesë ose përcjellëse që do të jenë ndërlidhëse me këtë, që të përkrahim edhe dislokimin e Fakulteti të Edukatës Fizike në këtë pjesë”, tha kryeministri.


Më tej, ai theksoi se në bazë të iniciativës së ministrit Shala, do të bashkëpunohet me Komunën e Obiliqit që nëse nevojitet sipërfaqe më e madhe në mënyrë që të gjitha objektet sportive të shtrihen në atë pjesë të Prishtinës.

“Të krijojmë një hapësirë që meriton të ketë Kosova me këtë infrastrukturë të dobishme dhe të pritur nga qytetarët tanë”, tha kryeministri Mustafa, duke uruar ministrinë Shala dhe kryetarin e Federatës për punën e bërë dhe duke i siguruar se Qeveria do të bëjë maksimumin për përkrahje, në mënyrë që ky vend për disa vite do t’i jep një pamje të mrekullueshme Prishtinës dhe tërë Kosovës.