Formohet komisioni për përzgjedhjen e sportistëve të vitit 2015

RahovecPostuar: 11:54 / 23.12.2015

Kryetari i komunës së Rahovecit,z. Idriz Vehapi ka nënshkruar vendimin për formimin e komisionit për përzgjedhjen e sportistëve të vitit 2015. Në këtë komision janë përfshirë punëtorë sportiv, pedagogë të kulturës fizike dhe njohës të mirë të rrjedhave sportive në komunën e Rahovecit. Javën që vjen Komisioni pritet të mblidhet dhe të përcaktohet për më të mirët e vitit 2015.

Vlen të përmendet se jeta sportive në komunën e Rahovecit ka nisur të dinamizohet, me ç'rast janë rregulluar disa terrene sportive në fshatra, si dhe janë riaktivizuar klube të reja sportive. Komisioni pritet të ketë punë të madhe, pasi që gjatë vitit që po e lëmë pas janë shënuar disa suksese të lakmueshme të sportistëve tanë në disiplina të ndryshme sportive.

Kryetari i Komunës z. Vehapi ka marrë një zotim nga ministri për Kulturë, Rini dhe Sport Kujtim Shala, gjatë vizitës së këtij të fundit në Rahovec më datë 10 dhjetor 2015, se vitin që vjen do të përmbyllen punimet në palestrën e sportit, gjë që do të ndikojë në shtimin e aktiviteteve sportive në komunën e Rahovecit.

Shpallja e më të mirëve pritet të bëhet javën që vjen në një ceremoni festive që do të organizohet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.