Palestra që pritet të ngjallë sportin e një qyteti

RahovecPostuar: 11:03 / 21.02.2019

Më nuk ka dyshime, turneu "Final 8" i Kupës së Kosovës në basketboll do të mbahet në Rahovec.

Punët në palestrën e qytetit kanë përfunduar të mërkurën, 11 vjet pasi ishte hedhur guri themeltar për të, shkruan sot Koha Ditore.

Zyrtarët e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe ata FIBA-s do të inspektojnë punimet në palestër të shtunën, katër ditë para se të nisë "Final 8" i Kupës së Kosovës, që është ngjarja më e madhe sportive në qytetin e vreshtarëve pas luftës.

Klubi organizator Rahoveci tashmë po frymon më lirshëm, jo vetëm se do të jetë në gjendje të mirëpresë skuadrat më të mira të Kupës, por edhe se në të ardhmen ndeshjet si vendas do t'i luajë në qytet, jo si deri më tash në Gjakovë dhe vende të tjera.

Por kjo nuk është lehtësi vetëm për klubin e basketbollit. Pas përfundimit të palestrës "Mizair Isma", pritet riaktivizimi i shumë klubeve në sporte të ndryshme, që gjatë dekadës kanë shuar aktivitetin, si ato të hendbollit, volejbollit dhe të tjera.